Shtetet e Bashkuara presin veprim të menjëhershëm nga Kina lidhur me çështjet e tregtisë, pas një marrëveshjeje të arritur nga udhëheqësit e vendeve, duke përfshirë tarifat më të ulëta për automobilat dhe masat kundër vjedhjes së pronës intelektuale dhe transferimeve të detyruara të teknologjisë, tha të hënën zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti i SHBA Donald Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping ranë dakord të ndalojnë tarifat e reja për 90 ditë gjatë bisedimeve në Argjentinë të shtunën, duke deklaruar një armëpushim pas muajsh të tensioneve në rritje në lidhje me tregtinë dhe çështje të tjera.
Kjo periudhë 90-ditore do të fillojë më 1 janar, tha këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë Larry Kudlow, dhe do të shfrytëzohet për bisedime, për të gjetur një rrugë bashkëpunimi mes vendeve.
Kinezët ofruan heqjen e më shumë se 1.2 triliardë dollarë në angazhime shtesë për tregti, tha sekretari i thesarit Steve Mnuchin të hënën. Kudlow tha se shifra ishte një pikë referimi e gjerë dhe i referohej transaksioneve private për blerjen e mallrave të SHBA, në varësi të kushteve të tregut.
“Kina gjithashtu u angazhua menjëherë për të filluar heqjen e tarifave dhe barrierave jo tarifore, duke përfshirë zvogëlimin e tarifave të saj prej 40 përqind në automobila”, tha Kudlow. “Ne presim që këto tarifa të bien në zero”, u tha ai gazetarëve.
Mnuchin tha se kishte një zhvendosje në ton, në Buenos Aires, nga diskutimet e kaluara, pasi XI ofroi një angazhim të qartë për të hapur tregjet e Kinës ndaj kompanive të SHBA.
“Kjo është hera e parë që ne kemi një angazhim prej tyre se kjo do të jetë një marrëveshje e vërtetë”, tha Mnuchin.
Top Channel