Nga 1 shkurti i 2019-s, zyrat e hipotekës, legalizimeve dhe kthimit të pronave do të bashkohen në një institucion të vetëm, që është Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Paralelisht, qeveria ka dërguar në Kuvend një projektligj që merret me trajtimin e proceseve që lidhen me kthimin e pronave, legalizimin e ndërtimeve pa leje, me tokën e shpërndarë me ligjin 7501, si dhe inventarizimin e pronave shtetërore.
Ndërkohë, Agjencia e Kadastrës do të jetë e organizuar në nivel qendror dhe lokal.
“Legjislacioni i ri i përmbledh të gjitha këto procese në një ligj të vetëm. Besoj se i pari që do të mbyllet do të jetë procesi i legalizimeve dhe i fundit në kohë që do të mbyllet është procesi i trajtimit të pronës, sepse vet ligji i trajtimit të pronës e parashikon me afat 10-vjeçar”, tha Artan Lame, kreu i ALUIZNI-t.
Nga viti 1994, Shqiperia rezulton me 4.4 milionë pasuri të paluajtshme, nga të cilat rreth 3.8 milionë janë të regjistruara dhe rreth 600 mijë pasuri të tjera të paregjistruara, por përsëri një pjesë e mirë e pronave rezulton me probleme.
“Rezulton që rreth 2.5 milionë e pasurive të regjistruara janë me probleme, që do të thotë minimlaisht duhen azhornuar, përmirësuar. Maksimalisht duhen bërë nga fillimi”, tha më tej Lame.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës emërohet dhe shkarkohet nga kryeministri. Fillimisht ky institucion do të ketë mbështetje buxhetore, ndërsa më pas do të kalojë gradualisht me vetëfinancim, duke shfrytëzuar tarifat e shërbimit.
Top Channel