Oklahoma e pati shumë të lehtë ndeshjen ndaj Detroitit në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. “Thunders” iu imponuan “Pistons” duke i mundur me rezultatin 110-83, e protagonistë u bënë Adams me 21 pikë, Paul George me 17 pikë e 10 topa në tabelë, si dhe i zakonshmi Russell Westbrook me 18 pikë.

Në krahun tjetër, më i miri në parket te Detroit ishte Blake Griffin, me 20 pikë, i ndjekur nga Drummond e Jackson, me 13 dhe 10 pikë respektivisht.

Golden State e mori veten pas humbjes së fundit që pësoi në NBA, duke fituar sfidën e radhës 128-111 me Atlantën. Këtë radhë, prania e Stephen Curry pati shumë efekt te kampionët në fuqi, me basketbollistin që shënoi 30 pikë në 29 minuta lojë, 2 më shumë sesa Kevin Durant, ndërkohë qe Klay Thompson u ndal në kuotën e 27 pikëve.

Për Atlantën nuk mjaftuan 24 pikë e 11 topat në tabelë të Collins, apo paraqitja e mirë e Young e Prince, për të evituar disfatën.

Cleveland dhe Brooklyn zhvilluan një ndeshje të rivalizuar mes tyre, në fund të së cilës doli e fituar skuadra e Cavaliers, që e mbylli sfidën me rezultatin 99-97 në favor, duke e çuar në 5 numrin e fitoreve sezonale.

Për Cleveland u dallua Thompson, me 19 pikë e 14 topa në tabelë, por shënuesi më i mirë i skuadrës ishte Clarkson me 20 pikë, ndërsa i riu Sexton e mbylli sfidën me 15 pikë. Te Brooklyn spikatën si gjithnjë Russell me 30 pikë dhe Dinwiddie me 18.

Houston pësoi një tjetër humbje këtë sezon. Skuadra teksane u mposht nga Minnesota 91-103, me “Timberwolves” që regjistruan suksesin e 12 sezonal. James Harden me 29 pikët e tij, i ndihmuar edhe nga Capela me 24, u përpoqën të bënin diçka për “Rockets”, por pa sukses. Te Minnesota u dalluan Towns me 24 pikë, Wiggins me 16 dhe Gibson me 15 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA