Pas dy javësh protestash e demonstratash mbarëkombëtare, që i vunë “flakën” Parisit dhe nuk kursyen as vendet më të frekuentuara nga turistët, si “Harku i Triumfit” apo bulevardi “Champs Elysees”, kryeministri francez Edouard Philippe pritet të njoftojë sot pezullimin e rritjes së taksës së naftës.
Rritja e taksës, që çon në rritjen e çmimit për konsumatorët e që ishte planifikuar të hynte në fuqi nga 1 janari, solli pakënaqësinë e shtuar të të ashtuquajturve “jelekë të verdhë”, apo njerëzve që fillimisht dolën në rrugë për të kundërshtuar këtë masë, e më pas demonstratat morën natyrë antiqeveritare, duke u fokusuar kryesisht kundër politikave të presidentit Emmanuel Macron, që siç akuzohet, po ndjek politika kundër shtëpiakëve apo qytetarëve me të ardhura të ulëta.
Pezullimi i rritjes së taksës, siç bëjnë të ditur burime qeveritare, pritet të shoqërohet me masa të tjera që do të synojnë dhënien fund të demonstratave mbarëkombëtare dhe qetësimin e situatës pas dy javëve ferri. Edhe pse nisën fillimisht paqësore, demonstratat degjeneruan në përplasje të dhunshme në rrugë mes protestuesve dhe policisë, por edhe në vandalizimin e Parisit gjatë fundjavës.
Megjithatë, kthimi pas nga rritja e taksës ishte vetëm një prej kërkesave kryesore të organizatorëve të “jelekëve të verdhë”, të cilët duan gjithashtu edhe rritje të pagës minimale, si dhe rikthimin e taksave më të larta mbi pasurinë e miliarderëve, hequr vitin e kaluar.
Macron e ka marrë vendimin për të pezulluar rritjen e taksës së naftës më 1 janar që prej së hënës, thanë burime të AFP-së, pasi qeveria e tij kaloi shumicën e ditës duke u takuar me krerët e të gjitha partive politike në Francë.
Edhe pse do të njoftojë vendimin gjatë kësaj të marte, zyra e kryeministrit Philippe konfirmoi gjithashtu refuzimin e tij për t’u takuar me një delegacion të “jelekëve të verdhë”, për “shkaqe sigurie” siç thuhet, pasi shumë prej qeveritarëve kanë marrë kërcënime nga protestuesit.
Top Channel