Të ardhurat në buxhet u rritën me 13.7 miliardë lekë për 10 mujorin krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por në raport me planin që qeveria kishte parashikuar të mblidhte ato janë 8 miliardë lekë më të ulëta.
Të dhënat zyrtare nga ministria e financave tregojnë se ecuria e të ardhurave buxhetore këtë vit shfaq dy tendenca të ndryshme; të ardhurat nga taksat e konsumit kanë rritje të dobët, ndërsa ato që mblidhen nga puna dhe fitimet e biznesit janë në trend të fortë pozitiv.
Sipas të dhënave, për periudhën janar tetor, të hyrat nga tatimi i të ardhurave personale u rritën me 14.5 për qind krahasuar me vjet, ndërsa ato nga tatim fitimi I bizneseve u zgjeruan me 6.6 për qind. Sipas ministrisë së financave, rritje e të ardhurave nga taksat e punës është rezultat I shtimit të punësimit, pasi më shumë njerëz kanë një punë dhe kontribuojnë duke paguar taksa në shtet, ndërsa ecuria e tatim fitimit tregon se fitimi I sipërmarrjeve ka shënuar rritje gjatë këtij viti?
Por teksa taksat mbi të ardhurat kanë ecuri pozitive, ato mbi konsumin kanë një rritje më të ngadaltë. Të ardhurat nga TVSH, burimi kryesor i buxhetit të shtetit u rritën me vetëm 3.5 për qind krahasuar me vjet, ndërsa ato nga akcizat madje ranë me 0.8 për qind. Sipas ministrisë së financave, ecuria e dobët e taksave të konsumit është e lidhur me kursin e këmbimit, ku vetëm si pasojë e rënies së euros ndaj lekut buxheti ka humbur mbi 7 miliardë lekë të ardhura.
Në krahun e shpenzimeve qeveria ka vijuar politikën e shtrënguar të konsolidimit fiskal. Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit u rritën me vetëm 2.4 për qind në terma vjetor, duke bërë që për 10 mujorin e këtij viti arka e shtetit të rezultojë me suficit 1.4 miliardë lekë. Megjithatë një pjesë e këtij suficiti është rezultat i mosrealizimit të investimeve publike, të cilat edhe pse krahasuar me vjet janë rritur, në raport me planin e periudhës janë gati 10 miliardë lekë më pak.
Top Channel