Parlamenti miratoi buxhetin dhe paketën fiskale me 76 vota pro, por për mazhorancën socialiste nuk ishte e lehtë t’i bënte ato bashkë.

Diskutimet filluan që në mbledhjen e grupit parlamentar që parapriu seancës mëngjesin e të enjtes, ndërsa negociatat vijuan deri pak minuta para se të niste votimi. Taulant Balla shkoi të informonte kryeministrin se punët nuk ishin vaj, ndërsa ministri i Financave vijoi konsultimet me relatorin Anastas Angjeli edhe në sallë.

Votimi nen për nen i buxhetit dhe paketës fiskale zgjati dy orë, me protagonist të padiskutuar kreun e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erion Braçe, i cili kishte paraqitur më shumë se një dyzinë amendamentesh që shkonin përtej linjës së partisë dhe qeverisë.

“Boll të kam dëgjuar deri tani, më dëgjo edhe ti mua”, i tha Braçe Ahmetajt.

Pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e amendamenteve të Braçes nuk u pranuan. Taulant Balla dhe Ervin Bushati i sugjeronin për çdo rast grupit qëndrimin, por deputeti socialist arriti të tregonte se shpesh kishte me vete një mbështetje të konsiderueshme brenda partisë në lidhje me propozimet e tij, duke reduktuar linjën zyrtare në vetëm 44 vota.

Vetë Edi Rama u detyrua disa herë të ndërhynte për të shtrënguar radhët: “Me gjithë respektin për jelekët e verdhë, unë besoj që jemi në rrugën e duhur”.

Edhe kur nuk nxori zë, Erion Braçe kundërshtoi me figurë, ndonëse nuk ishte i vetmi. Deputeti Paulin Sterkaj tha: “Mos ta stimulojmë bixhozin as me 3 yje e as me 5 yje. Këtu po ndajmë shtresat. Të pasurit paskan të drejtë të luajnë, ndërsa të varfërit jo”.

Rebelimin e të vetëve, kryeministri u përpoq ta quante si opozitë në mungesë të opozitës: “Është shumë pozitive që ne bëjmë opozitën për të krijuar klimë Parlamenti”.

Pa e fshehur nervozizmin, Braçe në fund i tërhoqi një pjesë të amendamenteve që kishte paraqitur.

Qeverisë i dedikoi një duartrokitje ironike e ndërsa Rama shkrihej gazit, kreu i Komisionit të Ekonomisë i dërgoi një mesazh mjaft elokuent.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA