Kompania ARC me qendër në Britani bëri të njohur në Milano modelin e parë të një motorçiklete që është përshkruar si e shpejtë, e avancuar dhe e kushtueshme. E quajtur Vector, motoçikleta kushton më shumë se 100 mijë dollarë, ndërsa kompania arsyeton çmimin e lartë.
Prodhuesit e motoçikletës së kushtueshme elektrike thonë se është teknologjikisht më e avancuara në treg. Themeluesi i kompanisë ARC Mark Truman shpjegon arsyen.
“Është më e sigurta, më miqësorja me mjedisin, më e qëndrueshmja. Ka ritmin e një super-motoçiklete.”
E ndërtuar me dorë në qytetin Koventry të Anglisë (Conventry) ku gjendet selia e kompanisë, motoçikleta me pamje futuriste ka një strukturë të lehtë të ndërtuar me përbërës karboni.
Jordan Gibbon është redaktor i revistës britanike “Motorcycle News”.
“Është shumë e lehtë, rreth 220 kilogramë. Është mjaft e fuqishme. Po ta ngasësh për qejf bën mbi 300 kilometra me një karikim që zgjat 45 minuta. Pra ka thyer rekord për automjetet elektrike.”
Kompania ARC është mbështetur financiarisht nga gjigandi Jaguar Land Rover.
“Kemi patur investime të mira nga kompani si Jaguar Land Rover që do të na sherbejë për një plan disa vjeçar për të çuar përpara ARC gjatë viteve në vazhdim”, thotë themeluesi i kompanisë Mark Truman.
Teknologjia e fundit me sensorë dhe kontrollues është e montuar në xhaketën inteligjente të drejtuesit të motoçikletës e cila e informon atë për kushte të rrezikshme dhe të dhëna të tjera. Sebastian Peck është me Fondin e Investimeve Kapitale Jaguar Land Rover.
“Më pëlqen koncepti me kostumin inteligjent që komunikon me drejtuesin. Shijon një eufori që bën të ngrihen flokët përpjetë kur e nget këtë motoçikletë.”
Helmeta ka tre aranzhime, mes tyre edhe “Butonin Euforik” me të cilën drejtuesi mund të luajë muzikë përmes xhaketës inteligjente e cila mundëson edhe pamjen pas falë kameras. Kompania ka në plan të prodhojë 400 motoçikleta në vitin e parë të daljes në treg.
Top Channel