Krahas punës për zhvendosjen e shtyllave të ndriçimit dhe gjithë bimësisë që gjendet në aksin e rrugor nga Pallati me Shigjeta deri te Dogana, ka vijuar puna edhe për lirimin dhe prishjen e objekteve të tjera pa leje nga vet banorët, duke i hapur rrugë kështu zbatimit të zgjerimit të Unazës së Madhe.

Pas Ukë Çelkolajt, i cili pranoi të prishte vetë dy objektet e tij të ngritura në gjurmën e Unazës, të tjerë banorë janë ndërgjegjësuar dhe kanë vendosur të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës dhe ARRSH-në, duke zhvendosur mobiliet dhe materialet elektroshtëpiake dhe duke bërë vetë çmontimin e objekteve.

Ndërkohë që edhe të tjerë banorë që kanë objekte pa leje në këtë segment kanë nisur gjithashtu largimin e mobilieve apo pajisjeve te tjera shtëpiake nga godinat e ndërtuara pa leje, duke i hapur rrugë tashmë makinerive të IMT-së së Bashkisë së Tiranës që të vijojë me prishjen e tyre. Deri më tani në këtë zonë janë prishur më shumë se 10 objekte pa leje, ndërsa puna do të vijojë çdo ditë deri në krijimin e hapësirës së plotë për ndërtimin e Unazës së Madhe.

Paralelisht me këtë proces ndërmarrjet bashkiake kanë vijuar punën edhe me çmontimin dhe zhvendosjen e të gjitha shtyllave, ndriçuesve dhe pemëve që gjenden në këtë aks rrugor. Puna prej tyre po kryhet kryesisht gjatë orëve të natës, në mënyrë që të mos bëhen pengesë për qarkullimin e automjeteve. Bashkia e Tiranës dhe ARRSH-ja ka ofruar shpronësim sipas parashikimeve ligjore për banorët që i kanë ndërtimet me leje, ndërsa për gjithë të tjerët ka ofruar banesa sociale pa afat ose bonus strehimi për 3 vite.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA