Ish-sulmuesi i Spanjës dhe Barcelonës, David Villa njoftoi këtë të shtunë firmosjen e kontratës me ekipin japonez Vissel Kobe, duke iu bashkuar kështu ish-shokut të tij Andres Iniesta.
Përmes një videoje në rrjetet sociale, Villa tregon punën e suksesshme të bërë te New York City FC, përpara se të merrte telefonatën që e detyroi atë të zhvendosej në Japoni.
“Përshëndetje Japoni, përshëndetje Vissel Kobe”, thotë ai në klip, aty ku shfaqet teksa mban veshur fanellën e klubit nga “J-League”.
Sulmuesi 36-vjeçar është i fundit ndër yjet e mbetur aktiv të futbollit që zhvendoset në klubin e qytetit portual të Japonisë, Kobe. Pronari i tij, një miliarder japonez me veprimtari në fushën e teknologjisë, Hiroshi Mikitani, bleu Iniestën në fillim të këtij viti, pasi kishte nënshkruar më parë me sulmuesin Lukas Podolski në 2017-n.
Villa vijon të mbetet golashënuesi më i mirë i historisë së Kombëtares spanjolle të futbollit. Ai kaloi në SHBA, me New York Cityn në vitin 2014, duke lënë Atletico Madridin, pasi kishte shijuar më herët aventurat e suksesshme me Barcelonën e Valencian.
Top Channel