Sot është 29 vjeç dhe vetëm para 4 vitesh, kur dhe kishte një lidhje dashurie, mësoi se ishte i infektuar me HIV/AIDS.

Ai nuk e humbi dashurinë e tij, ndonëse nuk ia fshehu dhe fatmirësisht, kur kanë dy vite martuar, bashkëshortja e tij rezulton negativ ndaj virusit vdekjeprurës dhe si çdo çift duan të sjellin në jetë fëmijën e tyre. Dhe kjo mund të realizohet.

“Duhet që partnerja ime të marrë disa medikamente, të cilat kushtojnë shumë. Rreth 150 000 lekë”, thotë burri.

Trajtimi mjekësor duhet t’i paraprijë ngjizjes së bebes dhe kostoja bëhet një barrë e rëndë për dy të rinj që sapo e kanë nisur ta ndërtojnë familjen e tyre. Mundohet të respektojë gjithçka për të mos lejuar që virusi ta sfidojë, por në një pikë ndihet i humbur. Në spital mungojnë herë pas here antiretroviralet për trajtimin mjekësor: “Marr medikamente, por jo në mënyrë të rregullt sepse shpesh mungojnë”.

Ai tregon se një person i prekur me virusin HIV/AIDS nga rrethet vuan shumë. Për të marrë trajtimin mjekësor u duhet të udhëtojnë drejt Tiranës.

Por, edhe pse jemi në vitin 2018, kur një i prekur me virusin HIV/AIDS bën një jetë normale si të tjerët nëse trajtohet rregullisht sipas protokollit, në Shqipëri këta persona ndihen të diskriminuar: “Ndihemi të diskriminuar nga shoqëria, por edhe nga mjeku. Më ka bërë presion doktori që t’i tregoja të afërmve dhe më ka quajtur vrasës”.

Në qytetin ku ai jeton, janë 45 të prekur nga virusi HIV/AIDS kjo shifër po rritet shpejt, ndaj kërkon që të ketë më shumë informacion tek të rinjtë rreth përhapjes së këtij virusi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA