Le të flasim pak për dashurinë. Për jetën e një çifti të sapomartuar nën titullin “Këmbëzbathur në park”. Kjo komedi, me autor Neil Simon, vendos dy të rinj në qendër të saj, kollaj të identifikueshëm edhe në realitetin shqiptar, që luftojnë përtej pritshmërive të jetës në një realitet rutinor.

“Nuk është një komedi situatash, më shumë sesa ka një nënshtresë të vetën të kësaj ideje.Të kësaj përplasjeje ndërmjet ëndrrës dhe realitetit që ti ke. Pritshmërive që ke për jetën dhe asaj që jeta të jep realisht me vështirësitë e saj”, tha Lorin Terezi, regjisor.

Por, ideja megjithatë është një, që përtej problemeve ekonomike, sociale nuk mund ta zhveshin petkun e dashurisë.

“Ndërsa djali është shumë logjik, shumë i matur, matet 10 herë përpara se t’i thotë gjërat, vajza jo. I merr në formë më spontane, më instiktive. Dhe pikërisht kjo gjë krijon pak konflikte, por ajo që e shpëton është në bazë dashuria”, tha Ermira Gjata, aktore.

“Një inkubator në jetën e përditshme të një amerikani të devotshëm, që në këtë farë mënyre lind dhe në këtë farë mënyre do të vdesë”, tha Ledion Zoi, aktor.

“Në fund fare zbulojnë që duhet të mbajnë një balancë mes këtyre dy karaktereve të ndryshme”, tha Anila Balla, aktore.

Regjisori thotë që do ta sjellë ëmbël këtë komedi, si një hulumtim drejt kuptimit të vërtetë të lumturisë dhe bashkëjetesës. Por, gjithçka do të shihet nga premiera e së shtunës në “ArTurbina”.

Top Channel