Katër ditë pasi Lulzim Basha paralajmëroi fakte tronditëse për projektin e Unazës së Madhe, nga Selia Blu u publikua vendimi numër 628 i Këshillit të Ministrave, të korrikut 2015.
Sipas juristëve demokratë, ky vendim i cili përcakton rregullat për projektimin dhe ndërtimin e rrugëve, si dhe studimin e fizibilitetit nëse një projekt është i dobishëm dhe kosto e tij justifikon përfitimin, është anashkaluar qëllimisht nga Edi Rama për të shmangur shpronësimin e bonorëve.
“Në nxitim për të grabitur 40 milionë euro, qeveria nuk ka zbatuar VKM nr. 628 për të bërë analizën e kostos dhe përfitimeve, ku përfshihet si detyrim ligjor edhe vlera e shpronësimeve. Projekti 40 milionë euro është tenderuar: • Pa studim fizibililiteti • Pa vlerësim të ndikimit në mjedis • Pa analizë kostoje dhe përfitimi • Pa vlerësim shpronësimësh”, tha Bardhi.
Por, demokratët nuk konstatojnë si tronditës vetëm këtë fakt. Sipas demokratëve, Edi Rama ka shkelur ligjin e sponsorizimeve kur pranoi se projekti i Unazës së Madhe është dhuratë nga një kompani private: “Siç paracaktoi në tenderin korruptiv, kompanitë me të cilat do të ndajë 40 milionë eurot tek Unaza e Re, duke pranuar një dhuratë, një sponsorizim të paligjshëm, Edi Rama ka paracaktuar edhe supervizorin e punimeve, që pritet të jetë vetë kompania dhuruese e projektit të paligjshëm 40 milionë euro”.
Partia Demokratike i bëri thirrje prokurorisë që të marrë në shqyrtim kallëzimin penal të banorëve, ndërsa kërkoi që zyrtarët e përfshirë në aferë të dalin para ligjit.
Top Channel