Më 28 nëntor, në Ditën e Pavarësisë e të ngritjes së flamurit, Federata Shqiptare e Peshngritjes zhvilloi kampionatin kombëtar të peshëngritjes për të rinj në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

Ishte zgjedhur pikërisht kjo ditë me simbolikën e ngritjes së flamurit, gjë e përbashkët kjo me këtë sport, si të paktat sporte në vend që kanë mundur të ngrenë flamurin edhe në arenën ndëkombëtare. Për këtë arsye, gjithçka startoi me kampionin e Europës, Briken Calja.

Por, si për ironi të fatit, gjithçka e arritur nga peshëngritësi nga Shtërmeni mbetet në kuadrin individual, sepse ai nuk ka marrë as përgëzimet dhe as mirënjohjen apo vlerësimin financiar për 3 medaljet e arta, edhe pse të fituara që në muajin mars. Kjo ka detyruar edhe Presidentin e Federatës së Peshëngritjes, Theodhor Masllavicën, të ngrejë zërin për ndihmën e ministrisë.

“Pa ndihmën e shtetit, nuk ka medalje”, tha Masllavica.

Sa i përket aktivitetit, në të morën pjesë 13 rrethe të ndryshme të vendit me një total prej 80 peshngritësish, femra e meshkuj, ku në kategorinë e femrave fitues doli ekipi i Tiranës, ndërsa për meshkujt trofeun e ngriti ekipi i Masglasit.

Top Channel