Pas kandidaturave të Dohas, Asunsionit, Miamit dhe Belo Horizontes, ka dalë në skenë një tjetër qytet që është vetofruar për të organizuar finalen e kthimit të Kupës Libertadores.
Tani, për finalen epike është ofruar stadiumi i Realit të Madridit. River Plate dhe Boca Juniors do të përcaktojnë më të fortën e futbollit amerikano-latin, por pas barazimit 2-2 në sfidën e parë, kthimi u shty pas trazirave nga tifozët.
Konfederata e Amerikës së Jugut ka përjashtuar Argjentinën, si opsion për organizimin, për shkak të tensionit dhe rivalitetit të madh. CONMEBOL, FIFA dhe mbi të gjitha padronët e shtëpisë në stadiumin “Santiago Bernabeu” kanë dhënë lejen, që kjo finale të luhet në tempullin e Realit të Madridit, më 8 ose 9 dhjetor.
Në një kohë që çështja ka shkuar në gjykatën sportive për pretendimin e Bocës për të marrë fitoren në tavolinë, mediet spanjolle e quajnë thuajse të mbyllur akordin mes klubeve dhe Realit të Madridit. Për skuadrën “galaktike” nuk do të kishte problem organizimi, pasi luan në La Liga më 9 dhjetor në stadiumin e Huescas.
Finalja e Libertadoresit në një vend ku garantohen siguria, prania e tifozëve dhe ku problemi i gjuhës nuk ekziston, duket tani opsion më i mirë sesa zhvillimi në Emiratet e Bashkuara Arabe apo diku tjetër.
Top Channel