Partia Demokratike ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion veliaj se është takuar me punonjës të administratës dhe jo me një pjesë të banorëve një ditë më parë. Deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka publikuar një foto ku sipas saj shfaqen punonjës të Policisë Bashkiake në një takim me Veliajn.
Ajo po ashtu ka akuzuar policinë se është urdhëruar të ushtrojë dhunë ndaj banorëve te “Unaza e Re”.
“Me urdhër të Ramës e Veliajt, janë dhunuar gra e burra e fëmijë. Ja pra çfarë ka sjellë Edi Rama në ditën e bashkimit shqiptar, por ai s’ka marrë një gjë parasysh, se kauza e këtyre njerëzve është e drejtë dhe do triumfojë mbi dhunën shtetëtrore. Ndërkohë që Veliaj u kthye te intriga dhe llogaritë, – tha Vokshi, e shoqëruar nga banorët e “Astirit” që edhe sot pasdite kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste. – Asnjë prej protestuesve s’ka qenë pjesë e protestuesve të Veliajt. Janë të gjithë policë bashkiakë. Dje ka qenë policia bashkiake e administrata, nuk kanë qenë banorët e protestuesit. Erion intriguesi e kryemashtruesi, po mundohet të dizinformojë, t’i gënjejë njerëzit e t’i joshë ata. Të mashtrojë banorët, por s’do t’ia arrijë dot”.
Vokshi bëri thirrje që të gjithë qytetarët të solidarizohen me banorët e “Astirit”. “Dje ishte teatri, sot Astiri, nesër Rama do na vijë në shtëpi. Solidarizohuni me banorët se është një kauzë e drejtë dhe kauzat e drejta gjithnjë fitojnë”, – shtoi ajo.
Top Channel