Këshilltari i Presidentit Donald Trump për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, deklaron se tani është momenti që Kosova dhe Serbia të arrijë një marrëveshje.

Në mesin e tensioneve të shtuara mes dy vendeve prej një serie zhvillimesh që kulmuan me vendosjen e taksës 100% mbi produktet serbe, zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë bëri këtë koment në Tëitter pas takimit me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Bolton sqaroi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë të dyja palët drejt arritjes së këtij synimi historik.

Thaçi, i cili ndodhet në Uashington në një vizitë zyrtare, u takua të hënën me Sekretarin e Shtetit Michael Pompeo, i cili, sipas zëdhënëses së DASH-it, përcolli një mesazh të ngjashëm duke u bërë thirrje të dyja palëve të shfrytëzojnë mundësinë që është krijuar për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për t’u hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. SHBA është e gatshme të ndihmojë dhe të mbështesë palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin”, thuhet në deklaratë.

Shtetet e Bashkuara e kanë treguar këto muajt e fundit se janë të gatshme të shqyrtojnë çdo lloj marrëveshje për të cilën do të binin dakort të dyja palët dhe që do të ishte e zbatueshme. Thaçi ka hedhur prej disa kohësh idenë e “korrigjimit” të kufijve, pa sqaruar megjithatë asnjëherë saktësisht se çfarë nënkupton me këtë nismë.

Top Channel