“Superklasikja” do të luhet në Paraguaj, më 8/9 dhjetor

27/11/2018 17:50

Se çfarë do të ndodhë nga pikëpamja disiplinore, mbetet ende për t’u parë, por ndërkohë, finalja e dytë e Kupës Libertadores pasurohet me një kapitull të ri kaosi.

Konfederata e Amerikës së Jugut ka vendosur që “Superklasikja” mes River Plate dhe Boca Juniors të mos luhet në Buenos Aires, vendi bazë i dy ekipeve argjentinase dhe vatër e nxehtë trazirash e dhune, siç dëshmuan edhe ngajrjet që shtynë vendosjen e trofeut.

Opsioni më i fundit i dalë në skenë është një datë dhe një vend që ngjall diskutime. Finalja, që vendos më të fortën e kontinentit, do të luhet më 8 ose 9 dhjetor në kryeqytetin e Paraguajit, në Asunsion. Por, mbeten të gjalla kontestimet e forta të të dyja klubeve.

River Plate kërkon të luajë në stadiumin “Monumental”, ndërsa Boca këmbëngul që të marrë fitoren në tavolinë dhe se nuk ka ndërmend të zbresë në fushën e lojës.

Autoritetet në Paraguaj kanë dhënë lejen për zhvillimin e asaj që cilësohet “ndeshja e vitit” në futbollin latin. Por mungon konsensusi i klubeve, që kërkojnë secili pretendimet e tyre. Përballja e parë mes dy ekipeve më të njohura argjentinase u mbyll 2-2, ndërsa kthimi u shty pas sulmit ndaj autobusit të Boca Juniors.

Top Channel