Me prokurorin Besnik Cani të konfirmuar në detyrë, numri i përfaqësuesve të akuzës ngelet përfundimisht 10 garues, të cilët gjatë mbledhjes së përgjithshme do të konkurrojnë me njëri-tjetrin për të marrë 6 vende në KLP.
Ndryshe nga rastet e tjera kur KPK-ja ka mbajtur qëndrim aspak tolerant për prokurorin Besnik Cani, këshilltar i Arta Markut, të gjitha gjetjet mbi të cilat u hodhën pikëpyetje, u referuan për procedim disiplinor. Që nga kontrata e qirasë me një kompani karburanti deri tek statusi si i pastrehë dhe jo vetëm.
Por, dyshimi nëse ka vend apo jo për procedim disiplinor do të qëndrojë pa afat i ngrirë në drejtorinë e inspektimit derisa të ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), për të cilin aspiron edhe Cani. Nëse ai mbledh vota dhe fiton një vend magjistrati në KLP, prokurori nuk mund të procedojë vetveten, çka do të thotë se të gjitha gjetjet e KPK-së do të avullojnë.
Konfirmimi në detyrë i Besnik Canit do të thotë se tashmë mbyllet lista prioritare për të cilën konkurruan 33 njerëz të drejtësisë.
Brenda 3 ditëve nga njoftimi i këtyre vendimeve nga KPK-ja, i takon Arta Markut dhe Xhezair Zaganjorit të thërrasin mbledhjen e përgjithshme prej nga do të zgjidhen 6.
Tashmë, gjithçka është çështje kohe dhe afatesh të caktuara nga Kushtetuta. Menjëherë sapo KLP-ja dhe KLGJ-së të ngrihen, detyra e tyre e parë është caktimi i gjyqtarëve pranë GJKKO dhe i prokurorëve të posaçëm pranë SPAK-ut.
Thënë ndryshe, SPAK gjendet pas porte.
Top Channel