Luhen sot ndeshjet e javës së pestë në Ligën e Kampioneve, në grupet E, F, G dhe H.

Bayern Munchen do të presë në “Allianz Arena” skuadrën e Benfikës, ndaj së cilës i mjafton edhe barazimi për të siguruar kualifikimin për në 1/8 e finaleve. Presioni te bavarezët është i gjithi te Nico Kovac, që sipas medias britanike, po ndjen hijen e Arsene Wenger, me trajnerin e kampionëve të Gjermanisë që ka deklaruar se Bayern do të luajë për të fituar këtë përballje me luzitanët.

Real Madrid do të luajë në “Olimpico” të Romës, me skuadrën verdhekuqe që kualifikohet për në fazën tjetër edhe vetëm me 1 pikë të marrë në këtë ndeshje. Të dyja skuadrat vijnë në këtë përballje pas humbjeve në kampionatet respektive me Eibarin dhe Udinesen dhe që të dyja kanë mungesa. Roma do jetë pa De Rossin, Pastoren, Perottin e Pelegrinin, ndërsa Reali do jetë pa Casemiro, Navas e Nacho.

Juventus pret në Torino Valencian, me “Zonjën e Vjetër” që ashtu sikurse edhe Bayern e Roma do të mjaftohet edhe me 1 barazim për të qenë mes 16 më të mirave të Ligës së Kampioneve. Nga ana e saj, Valencia do të duhet të fitojë ndaj Juventusit, por duhet të shpresojë edhe në një humbje ose barazim të Manchester United për të qenë ende në lojë për kualifikimin për në fazën tjetër.

Nga ana e saj, skuadra e “Djajve të Kuq” do të luajë në “Old Trafford” ndaj Young Boys. Në letër duket ndeshje e lehtë për skuadrën e Mourinho, pasi zviceranët janë në fund të grupit me 1 pikë. Por, vlen të kujtohet se Manchester United nga 9 ndeshje të zhvilluara në “Old Trafford” në të gjitha kompeticionet në këtë sezon ka mundur të fitojë vetëm 3, një statistikë kjo jo shumë pozitive për të.

Top Channel