Ndotja e ajrit, e shkaktuar nga trafiku rrugor dhe emetimet e motorëve “Diesel”, i ka kushtuar Bashkimit Europian rreth 80 miliardë euro në vitin 2016.
Sipas një studimi të kryer nga një organizatë e pavarur me bazë në Holandë, “CE Delft”, pjesa më e madhe e këtyre kostove të ndotjes së ajrit si pasojë e trafikut rrugor janë kosto shëndetësore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë përllogariti këtë vit se, ndotja e ajrit është fajtore për më shumë se 4 milionë vdekje të parakohshme në botë çdo vit, nga të cilat 500 mijë në Europë.
Pasojat shëndetësore, specifikisht të lidhura me emetimet e karburanteve përfshijnë kancerin e mushkërive, astmën, infarktin dhe infeksionet akute respiratore.
Provat e reja sugjerojnë po ashtu se emetimet nga makinat “Diesel” mund të shkaktojnë demencë, diabet të tipit 2, si edhe të shkaktojnë pasoja para dhe pas lindjes, si lindja e parakohshme apo pesha e vogël e lindjes.
Studimi më i fundit është porositur nga Aleanca europiane e Shëndetit Publik dhe ndalet te kostoja totale e këtyre sëmundjeve. Ai përllogarit se 28 shtetet anëtare të BE-së kanë shpenzuar së bashku nga 66.7 në 79.8 miliardë euro në vitin 2016.
“Institucionet europiane dhe vendet anëtare nuk po bëjnë ende zgjedhjet e duhura për të luftuar ndotjen e ajrit, në të mirë të të gjithëve. Nëse do të ndërhynin seriozisht, do të kursehej shumë”, tha Yves Brand, zv.president i EPHA.
Politikëbërësit janë vënë nën presion për të luftuar ndotjen e ajrit, që nga i ashtuquajturi skandali “Dieselgate” në vitin 2015, që zbuloi se disa prodhues automjetesh, përfshirë “Volksëagen”-in, kanë mashtruar me testet e emetimeve. Ky studim i ri nuk bën gjë tjetër veçse e shton edhe më shumë presionin.
Top Channel