Çështja e “Unazës së re” ka dy aspekte, atë social dhe pronësor të banorëve, si dhe projektin e ndërtimit nga ana tjetër, për të cilin ka debate dhe dyshime të forta për koston e lartë, që arrin në rreth 40 milionë euro.

Pikërisht për çështjen e projektit është folur këtë të martë në “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, me të ftuar inxhinierin dhe projektuesin e rrugëve dhe infrastrukturës, Xhevahir Ngjeqari.

Opozita pretendon se 1 km rrugë varion nga 18-20 milionë euro, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron se i gjithë projekti nuk është vetëm rrugë, por ka edhe disa vepra arti, si mbikalime dhe nënkalime.

Ngjeqari, si ekspert bëri një analizë dhe interpretim jopolitik të projektit. Segmenti prej 2.34 km, sipas tij është pjesë e unazës së brendshme të Tiranës, e konceptuar që nga vitet 1980.

“Këta e konsiderojnë të jashtme, por kjo nuk është e jashtme. Ajo e jashtmja fillon te ‘Casa Italia’, kalon nga institucioni i Top Medias, në Mëzez, del në Vaqarr e deri tek ura e Farkës. Nuk e di nëse do ta vjedhin këtë, por fakt është që kjo është miratuar. E them kështu, sepse zakonisht këtu në Shqipëri i grabisin projektet, duke nisur nga kryeministrat, ministrat, etj.. Për të kaluar te pyetja, kjo është pjesë e unazës së brendshme dhe është e detyrueshme të rikonstruktohet dhe të plotësohet me disa vepra arti”, tha eksperti.

Por a është i domosdoshëm ky projekt në situatën aktuale, kur kemi pasojën sociale të prodhuar prej tij, apo revoltën e banorëve që kemi parë. A konsiderohet emergjencë për t’u ndryshuar nga pikëpamja teknike?

“Zona nga Pallati me shigjeta deri te sheshi Shqiponja ka dy aspekte, këtë korridorin pjesë të unazës, kryqëzimin te Shqiponja që është i domosdoshëm, por ka edhe nevojë të rikonstruktohet në vetvete. Projekti që kanë bërë këta për një ndërtim tërësisht të ri dhe me përmasa të reja nuk është i saktë dhe jo sipas standardeve. Ajo që rrit koston këtu është se këta e kanë vendosur të kategorisë A urbane (ndërkohë që ka edhe interurbane). Në përcaktimin e standardit të rrugëve ndikon intensiteti i qarkullimit të automjeteve, ndërsa këta kanë marrë intensitetin maksimal të standardit A urban, i cili është i panevojshëm. Kjo gjerësi rruge, me pak përmirësim, me nga 3 vija kalimi dhe një korsi shërbimi të rregullt, përballon deri në 9.000 mjete në orë. Këto janë norma europiane, nuk janë vendosur nga ne”, thotë Ngjeqari.

Po përse nevojitet i gjithë ky kapacitet i madh, atëherë?

“Faktikisht, zona nga Pallati me shigjeta deri te Shqiponja, nga krahu i majtë i Lanës është një zonë e paurbanizuar dhe e pasistemuar në brendësi të Tiranës. Ndërtimet janë një kakofoni e vërtetë, e këta nëpërmjet kësaj rruge duan të zgjidhin njëherë e mirë edhe problemin urban të kësaj zone. Kapaciteti i stërmadh është pikërisht për të sistemuar të gjithë këtë zonë, e cila realisht duhet përmirësuar edhe nëse nuk do të ndërtohej kjo unazë. Për zonën duhet një plan urban dhe një status i veçantë. Nga ana e Astirit ka ndërtime bashkëkohore, pallate me konfiguracion urban dhe arkitektonik të pranueshëm, por ka edhe ndërtime të tjera sipas dëshirës, duke mos e shfrytëzuar në mënyrë racionale. Bëhet apo jo unaza, kjo zonë duhet trajtuar. Por nuk është përmasa e unazës që i vendos përpara faktit këto. Kjo gjurmë unaze e përmirësuar nuk është shkak për këtë punë”, shpjegon eksperti.

Në këtë situatë, lind pyetja: A është kjo një alibi për të hyrë në këtë zonë?

“Besoj se një mënyrë për të ndërhyrë. Por ka një të keqe se nuk është bërë me studim urban, sepse aty ka aq shumë terrene të lira. Unë them se, nga mënyra sesi është ndjekur procedura, këtë e ka bërë një firmë në formë dhurate, pa shpenzime. Unë nuk i di marrëdhëniet e saj me qeverinë, shtetin shqiptar apo ARRSH-në. Ajo nuk e ka bërë mbi bazën e një projekti topografik të hollësishëm, ndërsa të dy mbikalimet në brendësi të saj janë të gabuara dhe shumë të shtrenjta”, thotë më tej Ngjeqari.

Pikërisht për këto arsye, Ngjeqari nuk e konsideron një projekt të mirë, cilësor dhe të saktë. Sipas tij, përmasat janë të stërmëdha, ndërkohë që njëri prej mbikalimeve mund të eliminohet, kurse tjetri mund të bëhet nënkalim. Kjo do të bënte që të ulej jashtëzakonisht shumë kostoja.

Por, sa e rrisin ato koston e projektit? Apo e thënë ndryshe, a ka një bilanc mes projektit bazë prej 40 mln eurosh dhe një projekti tjetër që nuk do t’i kishte këto vepra arti?

“Nëse kjo do të bëhet në standardin urban, me gjerësi 31-32 metra pa përfshirë trotuaret, dhe nuk do të kishte veprat e tepërta të artit, ky projekt do të shkonte më shumë se 20 mln euro. E vetmja vepër e saktë këtu, teknikisht e rregullt, është mbikalimi me tre nivele: ai që në kryqëzimin rrugor gjeneron 12 drejtime kalimi, duke i zgjidhur plotësisht problemet e trafikut. Ai ka një kosto prej rreth 8.4 apo 8.6 mln euro”, shpjegon eksperti.

Duke e konsideruar Ramën një njohës të mirë urban, ai thotë se dizajnet janë shumë të bukura por jo të lidhura me realitetin. Për këtë arsye, ai shpreh nevojën që ky projekt të riformatohet, ose të ketë edhe dy variante të tjera. Kostoja e tij, sipas Ngjeqarit, nuk duhet të shkojë më shumë se 20 milionë euro.

A është ky një projekt, me një gabim nga pikëpamja e kursit të projektimit apo me një gabim të qëllimshëm për të përfituar?

“Nuk mund të them i qëllimshëm, por koncepti im është që ajo studio mund të ketë një kapacitet, ketë projekt e ka bërë pa shpenzime, ndoshta nuk mendonte se do t’i dilnin këto probleme. Projekti është i ngutur dhe jashtë standardit. Përmasat 51 metra nuk janë teknikisht të sakta. Rruga mund të bëhet sa të duash, por baza është intensiteti i mjeteve. Studimi i këtyre nuk ka nisur duke studiuar paraprakisht edhe shpronësimet. Nuk bëhet projekti, del tenderimi dhe më pas të merresh me shpronësimet. E gjithë procedura është bërë nga ARRSH-ja, e në asnjë mënyrë nuk mund t’i lihet në dorë vetëm asaj. Aspekti ekonomik nga ai teknik duhen ndarë”, thotë eksperti Ngjeqari.

A ka një apel zoti Ngjeqari për kryeministrin Rama, teksa në të kaluarën iu është adresuar shpesh kryeministrave, përfshi Berishën, duke qenë një person me integritet profesional?

“I nderuar zoti Rama, m’u dha mundësia nëpërmjet emisionit ‘Top Talk’ të gazetarit Dyrnjaja, që t’iu them një të vërtetë. Forca të caktuara brenda qeverisë suaj dëmtojnë imazhin dhe gjithë atë mirëbesim që iu dha populli. Ju duhet ta rishikoni e të bëni edhe dy variante të tjera të projektit, e koston ta zvogëloni deri në masën 50 për qind. Kam bindjen që ka grupe të caktuara, ashtu siç bënë për taksën e rrugës Durrës-Kukës, që ishte e stërmadhe por më pas u ul në 5 euro. Nëpërmjet emisionit të Top Channel ju drejtohem për të dytën herë, që ju të rishikoni projektin dhe të shmangni konfliktin”, u shpreh inxhinieri Xhevahir Ngjeqari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA