Huliganët e River Plate, të përshkruar si “mafia e futbollit argjentinas”, ishin pas sulmeve në autobusin e Boca Juniors para ndeshjes së dytë të Copa Libertadores. Kështu tha kryebashkiaku i Buenos Airesit.

Ndeshja e së shtunës u shty për 24 orë, pastaj u shty pa afat dhe do të vendoset sot se kur do të luhet.

Disa lojtarë të Boca Juniors u plagosën kur dritaret e autobusit të tyre u thyen në rrugën për në “Estadio Monumental”.

Kryebashkiaku i Buenos Airesit, Horacio Rodriguez Larreta tha se ishte një sulm hakmarrës. Ai tha se incidenti ndodhi një ditë pasi policia bastisi shtëpinë e një udhëheqësi të Barra Brava, grupimit të fuqishëm dhe të dhunshëm të tifozëve të River Plate.

Ata konfiskuan 10 milionë pesos (220 000 $) dhe 300 bileta të finales.

“Problemi është Barra Brava, një mafie që është futur në futboll për më shumë se 50 vjet”, deklaroi kryebashkiaku.

“Ata janë përgjegjës për këto incidente, gjë që lidhet drejtpërdrejt me episodin një ditë më parë, kështu që 300 vetë nuk u lejuan dhe ata ishin protagonistët kryesorë të gjithçkaje që ndodhi”, shtoi Horacio Rodriguez Larreta.

Top Channel