River Plate sheh t’i shfaqen telashet në horizont. Konfederata Amerikano-Latine e Futbollit “CONMEBOL” bëri të ditur se ka hapur një proces disiplinor kundër kësaj skuadre, për incidentet e ndodhura ditën e shtunë, kur ishte parashikuar të zhvillohej ndeshja e dytë e Kupës Libertadores me Boca Juniors.

River ka 24 orë kohë për t’u përgjigjur dhe për të provuar pafajësinë e tij. Në këtë pikë, rreziku i ndëshkimit është i madh, pasi klubi mund të dënohet me humbje në tavolinë, që do të thotë se, nëse kjo ndodh, do të jetë skuadra e Boca Juniors fituese e Kupës Libertadores.

Vet drejtuesit e Boca Juniors e kishin bërë kërkesën e tyre për fitoren në tavolinë, gjë që u konfirmua një ditë më parë nga presidenti Daniel Angelici.

Ndeshja mes River Plate dhe Boca Juniors u shty dy herë, pas sulmit që iu bë autobusit të Boca Juniors nga ana e tifozëve të River Plate. Disa prej lojtarëve të Bocas, mes të cilëve edhe Carlos Tevez, folën për probleme të ndryshme të shkaktuara nga gazi lotsjellës i hedhur në drejtim të tyre, ndërkohë që 4 futbollistë mbetën të plagosur, duke u dërguar në spital.

Top Channel