Pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Shqipëria dhe Kosova firmosën 9 marrëveshje dhe protokolle të përbashkëta, ku më të rëndësishmet janë ato për veprime të përbashkëta të kontrollit doganor, heqjen e tarifave “roaming” si dhe njohjen reciproke të patentave.
Dy qeveritë kanë rënë gjithashtu dakord që bashkëfinancojnë një studim analitik për të ardhmen e shqiptarëve, që tingëlloi si një tjetër sinjal me destinacion Brukselin.
“Jemi ende gjallë. Të mos na tregojnë shumë përralla edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, të mos na kërkojnë më shumë sa na mbajnë gjunjët, ndërkohë që Serbinë vijojnë ta trajtojnë në formë të papranueshme. Serbia nuk është viktimë, Kosova është viktimë”, tha Edi Rama.
Dy qeveritë zgjodhën Fatmir Limajn si Koordinator Kombëtar të Programit të përbashkët të dy qeverive, ndërkohë që gjatë konferencës për shtyp, kryeministri Ramush Haradinaj avancoi kërkesat për Rrugën e Kombit.
“Të përfundojë sa më shpejt Rruga e Kombit”, u shpreh kreu i qeverisë kosovare.
Rama u përgjigj: “Do të bëjmë sa kemi mundësi. Patriotizmi në kohë paqeje është që të paguash për të mirën e përbashkët”.
Aty ku dy kryeministrat duket se kanë vizione të ndryshme është çështja e rishikimit të kufirit të Kosovës me Serbinë. Ndryshe nga Haradinaj, Rama nuk përjashton asgjë: “Jemi në një fazë ku duhet të ndahet shapi nga sheqeri, asgjë nuk duhet të përjashtohet. Duhet parë me sytë e të ardhmes. Kush akuzon Thaçin për tradhtar, është gomar”.
Por, Haradinaj tha se “asnjë metër nuk mund t’i merret Kosovës”.
Mbledhja e pestë e përbashkët e dy qeverive u cilësua si më frytdhënësja nga kryeministrat, të cilët stadin e ri të marrëdhënieve e firmosën edhe mbi flamur.
Top Channel