Hazard lë gjithçka të hapur: Po s’rinovova, largohem nga Chelsea

26/11/2018 16:08

Zërat në lidhje me të ardhmen e Eden Hazard nuk mund të shuhen. Mesfushori belg nuk ka rinovuar ende kontratën me Chelsean, e për këtë arsye, emri i tij është lidhur së tepërmi me atë të Realit të Madridit.

Së fundmi, Hazard ka folur në lidhje me të ardhmen e tij edhe në një intervistë për televizionin francez “Canal+”, ku nuk e përjashtoi mundësinë e largimit të tij nga “Blutë” e Londrës dhe kalimin te “Los Blancos”.

“Në janar do të jem ende me kontratën aktuale që skadon në vitin 2019. Por nëse nuk do ta rinovoj atë, atëherë transferimi im është më se i mundur. Mund të ndodhë verën e ardhshme, por mund edhe ta mbyll karrierën time sportive te Chelsea”, tha Hazard.

Hazard pranoi më pas se ka qenë në kontakt me drejtuesit e Paris SG, por ai nuk ishte i interesuar. Ai theksoi se nëse do të kthehet në kampionatin francez, në të ardhmen, do të shkojë vetëm te skuadra e Lille.

Top Channel