Vëmendja e gazetarëve sot në kryeqytet është përqëndruar te një event i veçantë. Gazetarja Rezarta Delisula promovoi librin “Tirana Mahnia” në një event të mirëmenduar. Kjo sepse të ftuar ishin jo vetëm gazetarët, por edhe disa emra të politikës.

Delisula na fton të shohim kryeqytetin me sytë e saj për të shfletuar “Tirana-Mahnia” që rreket të shpjegojë pyetje se si  ka qenë Tirana në vite? Si është transformuar? Si kanë qenë sheshet (me foto) që janë shndërruar disa herë në këto dekada? Cilët janë personazhet që i kanë dhënë shumë Tiranës e si mund ta prezantojmë kryeqytetin, jo vetëm për brezat e rinj (qofshin vendas apo komunitetit që i është bashkuar së fundi ritmit të jetës kryeqytetase), por edhe për miqtë që na vijnë nga shtete të tjera, sepse libri vjen në shqip e në anglisht.

Pak, por e sigurtë është që ky libër ka ç’të mëson, edhe nëse je vetë tiranas i vjetër nga ata që njohin çdo rrugicë, edhe nëse je nga ata që i është bashkuar dekadat e fundit Tiranës së dashur, por edhe nëse je nga ata që di fare pak nga historia jonë, dhe të duhet një përmbledhje në anglisht për të marrë shpejt e shpejt shijen e një qyteti që ka histori të bukur, njerëz te bukur dhe kryesorja njerëz që e duan shumë, siç është Rezarta Delisula.

Një dashuri që ajo e ka trashëguar nga familja brez pas brezi dhe po kontribuon që kjo trashëgimi të mos mbetet vetëm te bisedat brenda shtëpive (që nuk janë më me qerpiç), por e kanë historinë të shkruar te libri “Tirana Mahnia”, e nuk kanë më nevojë për tullat e baltës të thara në diell që të kenë ç’të të tregojnë.

Top Channel