Barazimi i Milanit, debat mes Gattusos e zv.kryeministrit Salvini

26/11/2018 16:13

Milani nuk shkoi më shumë sesa barazimi 1-1 në ndeshjen me Lazion, me skuadrën romane që shënoi gol në sekondat e fundit.

Ky rezultat nuk u mirëprit shumë nga ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, që ishte i pranishëm në shkallët e stadiumit “Olimpico”. Salvini, që është një tifoz i kuqezinjve, nuk mund të rrinte pa komentuar këtë sfidë, duke kritikuar trajnerin Gattuso.

“Po të isha në vendin e Gattusos do të kisha bërë ndonjë ndërrim. Nuk e kuptoj arsyen përse ai nuk ndryshoi diçka në pjesën e dytë. Gjithsesi nuk ka problem”, tha Salvini.

E menjëhershme ishte përgjigjja e Gattusos, që nuk ia zgjati shumë ministrit italian.

“Salvini ankohet se nuk bëra ndryshime. Unë nuk flas për politikë, se nuk kuptoj asgjë. Por, Salvinit i them që të mendojë për poilitikën, sepse në këtë situatë, të dëgjosh zv.kryeministrin të flasë për futboll do të thotë që jemi vërtet keq. Ky është një vend i pabesueshëm. Salvini ankohet se nuk bëra ndërrime. E nisi me Higuain, i është bërë zakon, më pas foli për biletat e derbit. Le të vazhdojë kështu”, tha Gattuso.

Top Channel