Zviceranët i duan referendumet, por një propozim që iu është bërë votuesve në lidhje me sovrantetin e vendit, të dielën, ka zemëruar pothuajse të gjithë spektrin politik dhe mund të prekë marrëdhëniet e Zvicrës me BE-në, e madje edhe me Kombet e Bashkuara.
Propozimi për të cilin zviceranët janë thirrur në referendum kërkon që ligji zviceran të marrë precedencë mbi ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare. E për mbështetësit e tij, kjo do t’iu jepte zgjedhësve zviceranë fjalën e fundit mbi çdo çështje.
“Kjo është ajo që ne duam. Jemi ne, ata që e dimë se çfarë ndodh në Zvicër, e jo një gjykatë e huaj”, tha një mbështetës i referendumit.
Qeveria zvicerane është kundër, e po ashtu edhe partitë kryesore politike dhe një koalicion prej 120 organizatash të shoqërisë civile.
“Është një kal troje. Nuk ka të bëjë me ruajtjen e sovranitetit tonë, por me dobësimin e të drejtave themelore në Zvicër”, tha një kundërshtues i referendumit.
Kundërshtarët besojnë se propozimi mund t’iu lejojë zgjedhësve të dalin nga dhjetëra angazhime ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve apo tregtinë.
Zvicra nuk është vend anëtar i BE-së, por ka nënshkruar pjesën më të madhe të politikave të saj, përfshirë lëvizjen e lirë. E vetmja gjë, që në të vërtetë nuk argumentohet nga zviceranët, është sistemi i tyre i demokracisë së drejtpërdrejtë.
Edhe pse pjesëmarrja në referendume është ndonjëherë e ulët, njerëzit nuk ankohen përse thirren shpesh në votime. Ata madje votojnë disa herë për të njëjtën çështje. Demokracia e drejtpërdrejtë këtu do të thotë që kushdo mund të paraqesë një ide për votim, nëse arrin të mbledhë 100 mijë firma.
Top Channel