Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mblidhen të hënën, nesër, më 26 nëntor në mbledhjen e përbashkët, e cila mbahet në Pejë.
Pas zotimit për unifikimin e doganave, Kosova dhe Shqipëria pritet të aprovojnë edhe kërkesën e kahershme të Bashkimit Evropian për heqjen e tarifës së shërbimit të romingut, në kuadër të telekomunikimit ndërmjet këtyre dy shteteve.
Bashkimi Evropian u ka kërkuar të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të heqin këtë tarifë, si formë lehtësimi për komunikimet mes qytetarëve.
Çfarë është?
Tarifa e Romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një vend tjetër nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.
Për heqjen e tarifave të romingut në muajin qershor edhe Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë të veçantë.
Ekspertë të fushës së telekomunikimit dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, theksojnë se marrëveshja për heqjen e romingut në telekomunikim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është në dobi të qytetarëve dhe bizneseve.
Kostoja e takimit, e lartë
Mbledhja e përbashkët e dy qeverive që do të mbahet në Pejë ka edhe koston financiare. Për këtë takim Qeveria e Kosovës ka aprovuar shumën prej 128 mijë eurosh, që sipas ekspertëve të ekonomisë konsiderohet shumë e lartë, shkruan “Radio Evropa e Lirë”.
Ndryshe, ky do të jetë takimi i pestë i përbashkët i të dy qeverive. Herën e parë ato mbajtën takim të përbashkët në Prizren, në vitin 2014, ndërsa një vit më pas, në Tiranë është mbajtur takimi i dytë. Takimi i tretë në Prishtinë, kurse vitin e kaluar është mbajtur në qytetin e Korçës në Shqipëri.
Në katër mbledhjet e përbashkëta të qeverive të të dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, të mbajtura ndër vite, janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi të cilat kanë pasur për qëllim qeverisje të përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik.
Por, jo rrallë herë janë kritikuar nga ekspertë të ekonomisë se marrëveshjet e nënshkruara kanë mbetur vetëm në letër, pa u vërejtur në praktikë.
Top Channel