E kthyer tashmë në një traditë, edhe në këtë fund nëntori “Nata e Bardhë” do të vijë me plot surpriza dhe më e zjarrtë sesa kurrë më parë.
Bashkia Tiranë ka menduar që për Festën e Çlirimit të vendit, më 29 nëntor, edhe këtë vit të organizojë një sërë aktivitetesh festive që revokojnë historinë e luftës kundër nazifashistëve, e gjithçka do të kurorëzohet me një mbrëmje fantastike në sheshin “Skënderbej”, me rastin e “Natës së Bardhë”.
E gjitha është konceptuar si një festë 24 -orëshe, ku të gjitha moshat do të kenë mundësi të gjejnë veten e tyre, për t’u mbyllur me spektaklin në sheshin “Skënderbej”, ku ngjyrave të Fshatit të Festave do t’u shtohen edhe ritmet e muzikës.
Suksesin e premton këngëtarja e njohur e muzikës së lehtë dhe asaj popullore shqiptare, Aurela Gaçe.
“A jeni gati për një festë të magjishme për Natën e Bardhë? Aurela Gaçe na pret të gjithëve te sheshi ‘Skënderbej’. Tag miqtë dhe mos mungo!”, shkruan kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa njofton lajmin përmes rrjeteve sociale.
Krahas divës së muzikës shqiptare, në skenë do të ngjitet edhe Melissa Magnaneli, këngëtarja e talentuar dhe me zë të shkëlqyer që përfaqësoi Shqipërinë në festivalin ndërkombëtar “Sanremo Junior 2012”. Në skenë do të ngjiten edhe këngëtarët Krenar Seiti, Xheisara etj. Një vit më parë, Bashkia e Tiranës solli në Tiranë, me rastin e Natës së Bardhë, këngëtaren e njohur britanike Emeli Sande.
Top Channel