Studimet e fundit shkencore kanë treguar se pasioni për kafenë qenka i shkruar në AND-në tonë. Edhe pse njeriu është i programuar që ta asociojë shijen e hidhur me rrezikun e mundshëm, disa gjene na bëjnë të ndjeshëm ndaj kësaj shijeje, dhe i modifikojnë preferencat tona për kafenë, çajin dhe alkoolin.

Këto rezultate i ka nxjerrë konkretisht një studim i drejtuar nga Instituti i Kërkimeve Shkencore në Berghofer të Australisë, i cili është publikuar në revistën Scientific Reports, duke përfshirë në studim më shumë se 400.000 pjesëmarrës.

Studiuesit e udhëhequr nga Jue-Sheng Ong dhe Liang-Dar Hwang, kanë analizuar variantet gjenetike të lidhura me perceptimin e tre substancave me hidhtësi të ndryshme: prop-in, substancë e përdorur si ilaç anti-tiroid, kininën që ka cilësi anti-malarie dhe kafeinën.

Për të vlerësuar efektet e perceptimit të ndryshëm të hidhtësisë në konsumin e kafesë, çajit dhe alkoolit, u eksperimentua me 400.000 persona falë bankës UK Biobank në Mbretërinë e Bashkuar.

Studiuesit kanë zbuluar që njerëzit e marrë në eksperiment kanë një ndjeshmëri më të lartë për hidhtësinë e kafeinës; ndjeshmëri e cila i detyrohet pranisë së gjeneve specifike, të cilët nxisin dëshirën për të konsumuar sasi të konsiderueshme kafeje.

Ndërsa kur ndjeshmëria më e lartë ka dalë ndaj Prop-it dhe Kininës, tendenca gjenetike e njerëzve ka rezultuar në pëlqimin e çajit dhe alkoolit. Përsa i përket alkoolit, kërkimi ka dalë në rezultatin se ndjeshmëria më e lartë ndaj substancës Prop, tregon një konsum më të ulët të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA