City e Liverpool me të njëjtin hap, zhgënjen sërish United

24/11/2018 18:07

Manchester City ka regjistruar fitoren e radhës, teksa mposhti me rezultatin 0-4 londinezët e West Hamit dhe ruajti kreun e tabelës së renditjes në kampionatin anglez.

Silva, Sterling, dhe dy herë gjermani Sane ishin autorët e golave për “citizens”, që shkuan në kuotën e 35 pikëve, dy më tepër se Liverpooli ndjekës.

Edhe këta të fundit korrën një fitore të thellë 0-3 në transfertën ndaj Watford, në një sfidë që u zhbllokua nga Salah në pjesën e dytë, ndërsa më pas shënuan edhe Alexander-Arnold dhe Firminho.

Manchester United zhgënjeu sërish, teksa në “Old Trafford” nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola përballë Crystal Palace, ndonëse arriti të krijojë disa mundësi të mira shënimi. “Djajtë e kuq” mbeten në vendin e 7, me vetëm 21 pikë në 13 takimet e para të kampionatit.

Në sfidat e tjera, Fulhami mposhti me rezultatin 3-2 Southamptonin, Evertoni triumfoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Cardiffit dhe Leicesteri mori një pikë falë barazimit 1-1 në transfertën ndaj Bournemouth.

Top Channel