Territori 8 km katrorë kërcënon të “hedhë në erë” Brexit-in

23/11/2018 14:14

Ndërkohë që Britania përgatitet për një fundjavë të vështirë, gjatë së cilës duhet të vuloset divorci i saj me Bashkimin Europian, Spanja po kërcënon të vendosë veton, për shkak të gadishullit të vogël të Gjibraltarit.

Madridi, që prej kohësh ka pretendime ndaj territorit britanik të lidhur me Spanjën, kërcënon të nxjerrë nga shinat të gjithë procesin e “Brexit”-it, për shkak të statusit të gadishullit me një popullatë prej vetëm 30 mijë banorësh.

Spanja druan se marrëveshja e divorcit nuk e zgjidh problemin e marrëdhënieve të ardhshme mes BE-së dhe Gjibraltarit, që në një referendum të vitit 2002 votoi kundër sovranitetit të përbashkët mes Londrës dhe Madridit.

Pasi Britania dhe BE-ja ranë dakord për deklaratën politike të “Brexit”-it, të enjten, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez kërcënoi se do të hidhte në erë marrëveshjen.

“Pas bisedës me kryeministren Theresa May, pozicionet tona mbeten larg. Qeveria ime do të mbrojë gjithnjë interesat e Spanjës”, shkruajti ai në Tëitter. “Nëse nuk ka ndryshime, ne do të vendosim veton ndaj Brexit-it”.

E ndërsa Spanja kërcënon, vet banorët e Gjibraltarit thonë se po shfrytëzohen si “gurë shahu” në një përplasje për pushtet.

“Nuk mund të kuptohet sesi një vend me sipërfaqe gjysmëmilioni kilometrash katror, me një popullatë prej 46 milionë banorësh, shpenzon kaq shumë energji për një vend me sipërfaqe 6.8 km katrorë dhe me vetëm 30 mijë banorë”, tha një qytetar.

Banorët e Gjibraltarit votuan në masën 96 për qind për të qëndruar në BE, në referendumin për “Brexit”-in të vitit 2016.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA