Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes ku një automjtet ka shpërthyer në ecje e sipër në hyrje të qytetit të Vlorës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:35 minuta dhe si pasojë e shpërthimit të fuqishëm ka mbetur i plagosur rëndë 48-vjeçari Agron Alushaj, i cili është dërguar menjehërë në spitalin e Vlorës, ku ndodhet në sallën e reanimacionit.
Ai ka dëmtime në të gjithë trupin, pasi, siç mësohet, shpërthimi ka ndodhur brenda në automjet. Mjekët thonë se i plagosuri ndodhet në gjendje kritike për jetën për shkak të plagëve të marra nga shpërthimi.
Grupi hetimor ka kryer veprimet paraprake në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e saj. Policia nuk ka bërë të ditur asnjë pistë hetimore se ku është përqendruar hetimi.
48-vjeçari që ishte objekt i sulmit është pronari i një pike guroreje në zonën e Drashovicës.
Ky është rasti më i rëndë i shpërthimeve ndaj automjeteve që kanë ndodhur në Vlorë gjatë këtij viti. Në disa raste të tjera që kanë mbetur pa u zbardhur, eksplozivi u është vënë mjeteve kur kanë qenë të parkuara ose u është vënë zjarr në mënyrë të qëllimshme.
Top Channel