Radja Nainggolan nuk bën prapakthehu. Mesfushori i Interit nuk ka ndërmend të kthehet në përfaqësuesen e Belgjikës, madje edhe nëse krye të “Djajve” nuk do të jetë Roberto Martinez.
“E kam thënë edhe më parë, se nëse nuk do të grumbullohesha për “Rusi 2018”, nuk do të kthehesha më për të veshur fanellën e kombëtares. Jam një njeri që e mbaj fjalën, kështu do të bëj. Edhe nëse e ndërrojnë trajnerin dhe ai do të më lutet të kthehem sërish nuk do të pranoj. Jam i sigurt për vendimin që kam marrë.”
“Ninxha” ende nuk e kapërdirë përjashtimin nga Botërori, edhe pse ishte në një formë mjaft të mirë.
“Isha shumë i zhgënjyer nga fakti që më skarcuan pas asnjë motiv, edhe pse kisha zhvilluar një Europian të madh. Te Belgjika kishte futbollistë që nuk luanin në klubet e tyre, dhe sërish u grumbulluan. Nuk kam kërkuar asgjë, nëse grumbullohesha, thjesht e meritoja. Martinez ka kërkuar falje? Gjithçka është patetike. Kur isha te Roma, kam luajtur në 50 ndeshje, por kritikohesha për jetën që bëja. Njerëzit nuk duhet të të gjykojnë kur nuk dinë asgjë. Dua që njerëzit të m’i thonë gjërat në sy. Ndoshta do t’i kisha shtrënguar dorën, edhe pse nuk do të isha dakord. Mirëpo kur dikush sillet në këtë mënyrë, e humbet respektin tim”, deklaroi mesfushori i Interit.
Nainggolan tashmë e ka vendosur, do të përqendrohet vetëm te karriera tek Interi: “Do të jap gjithçka për Interin, Sa herë që luajnë kombëtaret, marr 4-5 ditë pushim dhe jam shumë i lumtur, sepse mund të përqendrohem në klubin tim”.
Top Channel