Pep Guardiola nuk rresht së menduari për atë çfarë do të bëjë në të ardhmen. Katalanasi, përveç dëshirës për të shkruar historinë me Manchester City, po përgatitet për një etapë tjetër në karrierën e tij; atë të drejtimit të një kombëtareje. Motivi është i thjeshtë; për të pasur më shumë kohë për t’u përmirësuar si golfist.
Vetë Guardiola foli për këtë mundësi në auditoret e Universitetit të Londrës, ku padyshim historia e golfit ishte më shumë një batutë sesa një projekt real i tij. ‘Do të më pëlqente të luaja më shumë golf, por me më shumë qetësi se tani-u shpreh Guardiola-Tani nuk kam kohë, pasi kam ndeshje çdo 3 ditë’.
Katalanasi ishte shumë më serioz kur foli për stimuj dhe aventura të reja në jetën e tij.
‘Më pëlqen të udhëtoj. E kam bërë këtë gjatë gjithë karrierës sime si futbollist dhe tani si trajner, është diçka e pabesueshme-shtoi Guardiola-si trajner kam jetuar më parë në Gjermani dhe tani jam në Angli. Kam mësuar gjermanisht dhe më parë kjo gjuhë me dukej e pamundur për t’u kuptuar. Familja ime nuk fliste as edhe një fjalë anglisht, tani e flet në mënyrë perfekte’.
Top Channel