Dy vite pasi presidenti amerikan i trajtoi aleatët europianë si armiq, Franca dhe Gjermania më në fund u angazhuan për krijimin e një ushtrie europiane të komanduar nga një bazë e përbashkët. Kjo nuk tregon aspak se do të ketë ndarje nga rendi transatlantik, por premton që aleancat ekzistuese të qëndrojnë të bashkuara në plan afatgjatë.
Presidenti amerikan po shfaq një sjellje të patolerueshme në Europë. Jo vetëm që ka vënë në dyshim angazhimin e Amerikës për mbrojtje të ndërsjellë, nëpërmjet NATO-s, por edhe u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja që Irani kishte lidhur në vitin 2015 me pesë shtetet e Këshillit të Sigurisë së OKB, si dhe me Gjermaninë dhe BE-në.
Që nga ajo kohë, administrata e persidentit Trump ka vepruar në mënyrë të njëanshme për të vendosur embargo mbi mallrat që dërgohen në Iran, nga çdo vend i tretë, edhe nga firmëtarët e tjerë të marrëveshjes. Kompanitë e huaja që bëjnë biznes në Iran mund të përballen me sanksione. Bankat që kryejnë transaksione mund të humbin marrëdhëniet me sistemin financiar amerikan.
SHBA-të kanë kërcënuar se do të marrin masa të ngjashme për gazsjellësin që do të lidhë Rusinë me Gjermaninë. Kongresi në SHBA po shqyrton ligje që mund ta lejojnë administratën e presidentit Trump të vendosë sanksione ndaj firmave europiane që do të marrin pjesë në projekt, edhe pse këto kompani janë të detyruara të bashkëpunojnë, për shkak të kontratave. Sipas Gerard Shroder, ish kancelari gjerman që tani drejton projektin, ambasadori amerikan në Gjermani është sjellë më shumë si oficer pushtuese se si diplomat.
Sjellja e administratës së presidentit Trump ka shkaktuar zemërimin në qeveritë e Francës dhe Gjermanisë. Por përveç zemërimeve, sulmet e presidentit Trump ndaj sovranitetit të vendeve të tjera ka bërë që t’i jepet më shumë shtysë bashkimit politik të Europës.
Nuk është sekret që Europa ndodhet në mes të një krize ekonomike, si pasojë e vendeve jugore të Eurozonës që kanë pasur inflacion të lartë që përpara krizës financiare të vitit 2008, dhe që e kanë ulur konkurrencën brenda sistemit të Euros. Këto probleme ekonomike kanë bërë që të krijohen partitë nacionaliste euroskeptike dhe lëvizje të ngjashme në të gjithë kontinentin. Projekti europian është dobësuar edhe më shumë nga shkëputja e Britanisë prej BE-së.
Në këtë pikëpamje, e vërteta është që veprimet e presidentit Trump kanë qenë bekim, sepse i kanë bërë forcat europiane të kuptojnë se duhet të qëndrojnë të bashkuara për të mbrojtur sovranitetin dhe zhvillimin. Një union me popullsi 450 milionë, pas Brexit, nuk mund të lejojë që një vend me popullsi sa dy të tretat e saj t’i trajtojë të gjithë si një grup shtetesh të varura.
Kështu, si presidenti francez, ashtu edhe kancelarja gjermane, thanë se mbështesin nevojën për të krijuar një ushtri të përbashkët europiane. Mënyra më e mirë për ta kuptuar këtë përpjekje, sipas Ministres Gjermane të Mbrojtjes, Ursula Von Der Leyen, është duke e parë si përgjigje ndaj kërkesës së presidentit Trump që vendet europiane të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.
Sigurisht, Von Der Leyen e di që krijimi i një fuqie ushtarake të pavarur europiane nuk është ajo që ka në mendje presidenti amerikan. Por sistemi qeveritar gjerman këmbëngul që ushtria europiane duhet parë si një mënyrë për ta forcuar NATO-n. Aleanca transatlantike nuk do të jetë më pak e nevojshme se përpara, dhe qytetarët europianë nuk do t’i shohin amerikanët me më pak simpati. Lidhjet e thella historike midis SHBA-ve dhe Europës do të mbeten të pandryshueshme. Të gjithë e dinë që Amerika do të vazhdojë të mbetet edhe pas presidentit Trump.
E mira në këtë mes, është që Europa po ndjek edhe një herë politikat e bashkimit, me një sens kolektiv, siç duhet. Projekti europian ka kohë që vuan nga krenaria e vendndodhjes, duke lënë pas dore bashkimin politik. Gjermania, Franca, Italia dhe vendet e Beneluksit (Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu), kanë rënë dakord që në vitin 1952 për të krijuar një ushtri të përbashkët europiane, nën kuadrin e Bashkësisë Europiane të Mbrojtjes. Por parlamenti francez nuk e miratoi kurrë, ndaj nuk hyri në zbatim.
Pastaj erdhi Traktati i Mastrihtit, që ofroi një mundësi të dytë për bashkim politik. Edhe këtu, Franca u bë sërish pengesë. Francezët mbështetën anëtarësimin në euro ngaqë donin që vendet mesdhetare, siç janë vetë, të kishin mundësinë të merrnin huà nga tregjet me të njëjtat interesa të ulëta si Gjermania. Por i rezistuan me sukses krijimit të një unioni politik, që bazohet në një shtet qendror, me ushtri të përbashkët dhe me monopol mbi përdorimin e forcës ushtarake.
Nëse Franca e merr seriozisht tani bashkimin e ushtrive kombëtare për të krijuar një forcë të përbashkët, nën komandën e BE-së (Jo thjesht sa për të ndërhyrë në ish kolonitë afrikane), Makroni mund të sigurojë një vend në librat e historisë. Ka shumë punë për t’u bërë. Por ja që për këto duhet të falënderojmë presidentin Trump.
HANS-WERNER SINN, PROJECT SYNDICATE
Autori është profesor Ekonomie dhe Financash Publike në Universitetin e Mynihut, dhe ish president i Institutit IFO. Ai shërben si këshilltar në ministrinë gjermane të ekonomisë.
Top Channel