Në vitin 2030, 40 milionë diabetikë nuk do të kenë insulina. Ndërkohë që numri i njerëzve që jetojnë me sëmundjen e diabetit vazhdon të rritet, qasja tek insulina e nevojshme po përballet me rritjen e kërkesës dhe së shpejti mund të ketë probleme.
Sipas një studimi të ri, deri në vitin 2030, 79 milionë të rritur me diabet të tipit 2 pritet të kenë nevojë për insulinë për të mënaxhuar sëmundjen, e nëse nivelet aktuale të qasjes do të vijojnë, vetëm gjysma e tyre mund të jenë në gjendje të sigurojnë sasinë që u duhet.
Studimi i publikuar në gazetën “Lancet”, “Diabeti dhe endokrinologjia”, nënvizon se qasja tek insulinat do të vështirësohet shumë veçanërisht në rajonet e Afrikës, Azisë dhe Oqeanisë, që do të preken më shumë.
“Këto përllogaritje tregojnë se niveli aktual i qasjes tek insulina nuk përputhet me nevojën e parashikuar dhe duhen bërë shumë përpjekje për të kapërcyer këtë sfidë”, tha Sanjay Basu, profesor në Universitetin Stanford.
Insulina nevojitet për të trajtuar të gjithë personat e prekur nga diabeti i tipit 1 dhe të tjerë të prekur nga diabeti i tipit 2. Kjo formë e fundit e sëmundjes lidhet shumë me faktorë të jetesës së përditshme, si obeziteti, dieta e mangët apo mungesa e aktivitetit fizik.
Ekspertët thonë se numri i të prekurve nga diabeti do të rritet, ndaj duhen marrë masa për insulinën. Në të gjithë botën, numri i të rriturve me diabet të tipit 2 do të rritet nga 406 milionë në 2018, në 511 milionë në 2030. Nga totali i 511 milionë të prekurve, 79 milionë parashikohet të kenë nevojë për insulinë, që do të thotë 20 për qind rritje të kërkesës, e vetëm 38 milionë do të mund ta sigurojnë atë.
Top Channel