Skënder Gega konfirmoi në konferencën për shtyp në prag të transfertës me Flamurtarin se Alban Hoxha nuk do të udhëtojë drejt Vlorës. Trajneri i të kuqve shpreson që skuadra e tij të ruajë ritmin e ndeshjeve të fundit.

“Deri tani kanë shkuar gjërat mirë, sfida jonë është të vazhdojmë me këtë ritëm. Ndeshja e radhës është e fortë, luajmë përballë një klubi me emër, ndoshta nga klubet më të mira të futbollit shqiptar. Çdo gjë do t’ia lëmë fushës.”

Xhika në vend të Hoxhës: Nuk ka sekrete. Edhe Xhika është gati për çdo rast, sepse stërvitjen e bëjnë të gjithë njësoj. Sot jemi përballë një sfide sepse Hoxha nuk ka arritur të rikuperohet. Është portier me eksperiencë dhe person pozitiv, megjithatë do të mundohemi ta bëjmë më të lehtë. Për këtë javë nuk do të jetë gati.

Golat e Hebajt ndaj Maltës: Jam i kënaqur që Hebaj ka shënuar kundër Maltës. Jam pyetur vazhdimisht për nevojën e një finalizuesi dhe gjithmonë kam shprehur besimin tek ata që kam. Sa herë vijnë nga kombëtarja vijnë më me besim. Hebaj është përkrahur dhe kemi akoma 25 ndeshje.

Ndërhyrjet në merkato: Ne e dimë ku na dhemb. Jemi munduar t’i mbajmë 100% të karikuar lojtarët. Do të vijë momenti dhe bashkë me klubin do të vendosim. Çdo gjë është pozitive.

Situata te Tirana: Nuk kam interes për çfarë ndodh te Tirana. U pyeta edhe për Shkurtajn. Kam opinion pozitiv për të. Për Ngo u shpreha se ishte lojtar shumë i gjatë, hera e parë që e shihja.

Telushi dhe Ibrahimi rrezikojnë: Do të japin 100%. Janë lojtarë që kanë peshë në ekip. Megjithatë janë gjëra që ndodhin. Ata kanë të verdha e mund të ndodhë që të marrin një tjetër, kështu që ne do të mundohemi t’i rikuperojmë. Në çdo ndeshje bëjmë 3 ndërrime. 90% e grupit është aktivizuar. E rëndësishme është që grupi të funksionojë. Duhet të marrim më të mirën. Shkojmë për të fituar, ne s’kemi rrugë tjetër. Uroj që të marrim maksimumin. Nëse diçka ndodh ndryshe atëherë kemi edhe 70% të kampionatit.

Top Channel