Presidenti Donald Trump tha se nuk do të ndërmarrë veprime të ashpra kundër Arabisë Saudite ose Princit të saj të Kurorës, Mohammed bin Salman, lidhur me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, i cili u vra në konsullatën saudite në Stamboll të Turqisë.
Në një deklaratë të shoqëruar me thirrjen “Amerika e Para”, Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara synojnë të mbeten një “partner i palëkundur” i Arabisë Saudite, edhe pse Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman mund të ketë patur dijeni rreth planit për të vrarë gazetarin Khashoggi.
Ai la të kuptohet se nuk kishte ndërmend të anulonte kontratat ushtarake me Rijadin, duke thënë se “nëse nuk veprojmë me mend dhe heqim dorë nga këto kontrata, Rusia dhe Kina do të ishin përfituesit e mëdhenj”.
Presidenti tha se “agjencitë amerikane të inteligjencës vazhdojnë të vlerësojnë të gjithë informacionin, por ka shumë mundësi që Princi i Kurorës të ketë patur dijeni për këtë ngjarje tragjike”.
“Ndoshta ka patur, ndoshta jo. Megjithatë, ne ndoshta nuk do t’i dimë kurrë të gjitha faktet që kanë të bëjnë me vrasjen e Jamal Khashoggi, por gjithsesi, marrëdhënia jonë është me Mbretërinë e Arabisë Saudite. Ata vazhdojnë të jenë një aleat i madh në luftën tonë të rëndësishme kundër Iranit”, tha Trump.
Top Channel