Planet për ngritjen e një ushtrie europiane duket se nuk e kanë kaluar klasën në Bruksel. Përfaqësuesja e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini tha pas takimit të ministrave të Mbrojtjes se, “nuk do të krijohet një ushtri europiane”.
“Bashkimi Europian nuk do të zëvendësojë NATO-n, me gjithë forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje. Ne ecim krah për krah me NATO-n dhe planet e BE-së kontribuojnë madje në shpërndarjen e drejtë të barrës brenda NATO-s, e kërkuar kjo edhe nga SHBA”, tha Mogherini.
Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi BE-në për krijimin e një konkurrence brenda NATO-s.
Në planet e tyre për krijimin e një unioni mbrojtjeje, vendet e BE-së nuk duhet të shkojnë larg, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
“Unë i përshëndes përpjekjet – deklaroi Stoltenberg të martën në Bruksel, – por ata nuk duhet të kenë si qëllim të konkurrojnë me NATO-n”.
Aleanca transatlantike është baza themelore e sigurisë europiane, ka shtuar më tej Stoltenberg.
Në takimin e Brukselit, ministrat e Mbrojtjes së BE-së vendosën edhe zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak (PESCO), duke miratuar 17 projekte të reja në fushën e mbrojtjes. Por, ata nuk mundën që të gjenin një kompromis bashkë me Italinë për zgjatjen e misionit “Sophia” në detin Mesdhe.
Top Channel