Italia do t’i përmbahet planit të saj të buxhetit 2019, pavarësisht kritikave nga Komisioni Evropian, por bisedimet po vazhdojnë, tha Ministri i Ekonomisë Giovanni Tria të hënën, pas pjesëmarrjes në një takim të ministrave të financave të eurozonës.
Italia është në telashe me Komisionin dhe shumë qeveritarë të tjerë të eurozonës mbi buxhetin e saj të shpenzimeve të mëdha. Brukseli e ka hedhur poshtë paketën, duke thënë se nuk arrin të ulë borxhin, siç kërkohet nga rregullat e Bashkimit Evropian.
Duke e përshkruar planin e buxhetit si “shumë të moderuar” ekspansionist, Tria u tha gazetarëve: “Diskutimi vazhdon. Natyrisht plani i qeverisë nuk ndryshon, por ka synimin për të vazhduar diskutimin”.
Brukseli dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar shohin parashikimet e rritjes italiane si tepër optimiste dhe ministrat e eurozonës deri tani kanë mbështetur vijën e ashpër të Komisionit, të shqetësuar se Roma mund të shkaktojë një krizë tjetër borxhi si ajo e vitit 2011 dhe 2012 që pothuajse shkatërroi euron.
“Ne të gjithë jemi të shqetësuar për gjendjen ekzistuese. Është e qartë se kjo është një çështje që jo vetëm që përfshin Italinë, por të gjithë ne, “u tha gazetarëve ministri hollandez i financave Wopke Hoekstra. “Është e domosdoshme që Komisioni të bëjë atë që është në interes të të gjitha vendeve të ndryshme evropiane”.
Top Channel