“Trump nuk po bën asnjë blof”/ Shtëpia e Bardhë paralajmëron Iranin: Presidenti amerikan është gati të lëshojë ferrin te ju Një gjykatës federal ka bllokuar një urdhër të lëshuar nga presidenti Trump, për t’iu mohuar azilin emigrantëve që kalojnë ilegalisht kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.
Gjykatësi i distriktit në San Francisco dha vendimin e bllokimit të përkohshëm të urdhrit, pasi dëgjoi argumentet e grupeve të të drejtave civile.
Trump nënshkroi urdhrin më herët gjatë këtij muaji, si reagim ndaj karvanit të emigrantëve që po i afrohej kufirit. Ai citoi shqetësime të interesit kombëtar, por u kundërshtua nga grupet e të drejtave civile. Këto të fundit e çuan rastin para gjykatës, duke argumentuar se urdhri i Trumpit ishte i paligjshëm.
Në vendimin e tij, gjykatësi tha se legjislacioni aktual e bën të qartë se, çdo i huaj që arrin në SHBA mund të aplikojë për azil. Ai tha se urdhri i 9 nëntorit i presidentit Trump është një devijim ekstrem nga praktikat e mëparshme.
“Pavarësisht qëllimit të autoritetit të presidentit, ai nuk mund të rishkruajë ligjet e emigracionit për të imponuar kushte që Kongresi i ka ndaluar”, tha gjykatësi.
Me mijëra emigrantë nga vendet e Amerikës Qendrore po udhëtojnë drejt veriut prej javësh, në përpjekje për të arritur kufirin SHBA-Meksikë. Ata thonë se po i largohen persekutimit, varfërisë dhe dhunës në vendet e tyre si Hondurasi, Guatemala dhe El Salvadori.
Në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit, Trump tha se shumë nga emigrantët ishin kriminelë dhe i quajti karvanët, një pushtim, duke urdhëruar edhe dërgimin e trupave ushtarake në kufi.
Top Channel