Një oficer policie në Bruksel ka mbetur i plagosur gjatë një sulmi me thikë përpara stacionit qendror policor të qytetit, në orët e para të kësaj të marte.

Sulmi ka ndodhur në ditën e dytë të vizitës shtetërore në Belgjikë, të presidentit francez Emmanuel Macron, teksa kujtimet e sulmeve të Parisit dhe Brukselit janë ende të gjalla në mendjet e qytetarëve.

Zëdhënësja e policisë, Ilse van de Keere tha për “AFP”-në se, agresori e qëlloi me thikë oficerin jashtë stacionit policor rreth orës 5:30 të mëngjesit.

“Ai mbeti i plagosur lehtë dhe u dërgua në spital për ndihmën e parë mjekësore. Kolegët e tij u hakmorën duke qëlluar me armë zjarri ndaj agresorit, i cili u plagos por jashtë rrezikut për jetën”, tha më tej zëdhënësja e policisë.

Ajo refuzoi të konfirmonte raportet e medieve lokale, se agresori kishte thirrur “Allahu Akbar” gjatë këtij incidenti.

Më vonë gjatë së martës, Macron do të vizitojë periferinë Molenbeek të Brukselit, streha e xhihadistëve të Shtetit Islamik që kryen sulmet në Paris në vitin 2015, duke lënë 130 persona të vdekur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA