Një pako e dyshimtë, e cila u konstatua mëngjesin e sotëm pranë vendparkimit të automjetit të drejtorit të Përgjithshëm të Hekurudhave shqiptare, Ani Dyrmishi, rezultoi të ketë qenë një alarm fals për vendosje eksplozivi, por ndërkohë hetimet rreth saj nuk kanë reshtur.
Objekti me përmbajtje të dyshimtë konsiderohet si një akt paralajmërimi, kërcënim ndaj kreut të linjave të hekurta shqiptare, i cili gjatë një komunikimi telefonik për TCH tha se nuk ka konflikte, as personale dhe as për shkak të detyrës, me askënd.
Me të marrë njoftim për rastin, forcat e policisë lokale izoluan zonën, në pritje të ekspertëve nga Tirana. Pakoja, saktësisht një bidon i errët dhe një aparat celular, u gjet pranë një vendparkimi të hapur në lagjen nr.4 të qytetit bregdetar, pranë stacionit të trenit ku Dyrmishi banon, e ku kishte parkuar automjetin “Volkswagen”.
Nga këqyrja paraprake e shishes në ngjyrë të errët rezultoi se, brenda saj nuk kishte lëndë plasëse, por ekspertët do të ekzaminojnë më tej për të gjetur gjurmë të tjera mbi shishe.
Njëkohësisht do të bëhet edhe këqyrja e filmimeve të kamerave të sigurisë në zonën përreth, për të mundësuar identifikimin e personit që ka vendosur objektin e dyshimtë në vendparkim, duke alarmuar policinë dhe banorët e bizneset në zonën ku u gjet objekti.
Top Channel