Divorci me BE-në, May këmbëngul ende për planin e saj

19/11/2018 11:21

Theresa May vijon përpjekjet për të “shitur” projektin e saj për “Brexit”-in, duke thënë se ai do të ndalë emigrantët nga BE-ja.

Sipas saj, emigracioni pas “Brexit”-it do të jetë i bazuar tek aftësitë, me europianët që nuk do të kenë më shumë prioritet kundrejt inxhinierëve nga Sidnei për shembull, apo zhvilluesve të programeve kompjuterike nga Nju Delhi.

Kryeministrja do të këmbëngulë te liderët e biznesit se, drafti i saj i “Brexit”-it është i pranuar nga të gjithë.

Kjo vjen ndërkohë që disa deputetë konservatorë vazhdojnë të këmbëngulin për ndryshime.

Ministrat nga 28 shtetet e mbetura anëtare të BE-së po mblidhen në Bruksel, para se marrëveshja të finalizohet të dielën. Ata po punojnë për një deklaratë politike që përcakton marrëdhënien e tyre të ardhshme me Britaninë e Madhe.

Për draftin e tërheqjes me 585 faqe, që pritet të nënshkruhet në samit këtë fundjavë ka pasur gjithsesi kritika të shumta.

Dy nga ministrat e kabinetit të Mayt dhanë dorëheqjen në lidhje me marrëveshjen e propozuar, ndërsa të tjerë besohet se po përpiqen të ndryshojnë gjuhën e përdorur.

Spekulimet vazhdojnë ndërkohë mbi faktin nëse numri i deputetëve konservatorë, që kërkojnë një votë mosbesimi ndaj Mayt, do të arrijë 48 përqindëshin e kërkuar.

May do t’i bashkohet kreut të laburistëve, Jeremy Corbyn, në një takim me grupet e biznesit, ku do të paraqesë detaje të planit të saj. Vet Corbyn ka bërë të qartë se partia e tij, me 267 deputetë, nuk do ta mbështesë planin e Mayt, e po ashtu edhe kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA