Benyamin Netanyahu paralajmëron se zgjedhjet e parakohshme mund të jenë një katastrofë për shtetin hebre. Kryeministri izraelit i bëri këto komente gjatë një takimi të kabinetit, në kohën kur aleatë kyç të koalicionin qeverisës kërcënojnë t’ia heqin mbështetjen e tyre.

Netanyahu po përpiqet me çdo kusht të shmangë mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Kriza politike nisi pas dorëheqjes së ministrit të mbrojtjes, Avigdor Lieberman, largimi i të cilit erdhi si protestë ndaj armëpushimit të arritur me militantët në Gaza pas tre ditë luftimesh.

Ikja e Liebermanit dhe partisë së tij Yisrael Beiteinu, e la koalicionin me një mazhorancë prej vetëm një vendi në parlamentin izraelit, Knesset.

“E mbajmë mend të gjithë çfarë ndodhi kur elementë të koalicionit përmbysën qeverinë e Likudit në 1992-shin dhe 1999-ën, kur u përballëm me katastrofën e marrëveshjes së paqes në Oslo dhe me katastrofën e Intifadës. Duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të shmangur përsëritjen e gabimeve të tilla”, deklaroi Netanyahu.

Bisedimet mes kryeministrit dhe rivalit tjetër të tij në koalicion, Naftali Bennett, përfunduan të premten pa marrëveshje. Bennett ka kërcënuar ta tërheqë nga qeveria partinë e tij Habayit Hayehudi, nëse nuk caktohet në krye të ministrisë së mbrojtjes.

Habayit Hayehudi është partia e tretë më e madhe e koalicionit. Nëse ajo largohet, Netanyahut do t’i mbetet një pakicë me të cilën, nuk mund të punohet. Fokusi i kryeministrit tani është kreu i dikasterit të financave, Moshe Kahlon, partia e të cilit, Kulanu, është edhe ajo jetike për koalicionin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA