Lista e personave të zhdukur si pasojë e “ferrit”, të krijuar nga zjarri më vdekjeprurës i rënë ndonjëherë në Kaliforninë veriore, i ka tejkaluar 1.000 njerëzit, ndërkohë që kërkuesit vijojnë ende kontrollet dhe kanë arritur të gjejnë edhe eshtrat e 8 viktimave të tjerë, në prag të vizitës së presidentit Donald Trump për të parë nga afër përmasat katastrofike të shkatërrimit.
Sherifi i kantonit Butte, Kory Honea u tha reporterëve se numri i njerëzve të zhdukur thuajse është dyfishuar, nga 631 në 1.011 brenda 24 orëve të fundit, teksa autoritetet vijojnë të marrin raporte për njerëz të zhdukur dhe mes rishikimit të të gjitha telefonatave urgjente të bëra që prej rënies së zjarrit.
“Dua t’iu bëj të ditur se kjo është në fakt një listë dinamike”, u tha ai reporterëve, duke nënkuptuar se mund të rritet edhe më shumë numri i të zhdukurve. Megjithatë, ai detajoi diçka që mund të konsiderohet suprizë: rreth 329 persona që ishin listuar si të pagjetur që prej rënies së zjarrit, tashmë janë shëndoshë e mirë.
“Informacioni që po jap për ju është i papërpunuar dhe me shumë gjasë, lista mund të përmbajë edhe emra të dublikuar”, tha ai, duke nënvizuar se disa persona që kanë mundur t’ia mbathin nga ferri i flakëve, mund të mos jenë në dijeni se gjenden pikërisht në listën e të zhdukurve.
Në fakt, 8 setet e eshtrave të gjetura së fundi e çojnë në 71 numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga zjarri i ashtuquajtur “Camp Fire”, më shkatërrimtari në historinë e Kalifornisë.
“Ferri” nisi më 8 nëntor dhe thuajse zhduku nga harta qytezën Paradise. Trump, ndërkohë, pritet të vizitojë rajonin këtë të shtunë, për të parë nga afër dëmet dhe për t’u takuar me të afërm të viktimave të zjarrit, që ka shkrumbuar një zonë të përafërt me sipërfaqen e Chicagos.
Top Channel