Departamenti i Thesarit në SHBA vendosi sanksione ndaj 17 zyrtarëve sauditë të enjten, pasi ata akuzohen se janë përfshirë në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën arabe në Stamboll, më 2 Tetor të këtij viti.
Ndër ata që u sanksionuan ishin Saud al-Qahtani, i cili është larguar nga posti i tij si ndihmës i lartë i princit të kurorës Mohammed bin Salman, si dhe konsulli i përgjithshëm i Arabisë Saudite, Mohammed Alotaibi dhe anëtarë të një ekipi prej 15 personash, të përfshirë në vdekjen e Khashoggit.
Njoftimi ishte i pazakontë për Uashingtonin, i cili rrallë imponon sanksione ndaj shtetasve sauditë, megjithatë duhet thënë se masat shtrënguese nuk synojnë të godasin qeverinë e Rijadit, një aleate e rëndësishme ekonomike, por edhe e sigurisë për Amerikën.
Ky është reagimi i parë i qeverisë Trump, për vrasjen e gazetarit saudit, i cili jetonte si azilant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shkruante për Washington Post, ku njihej edhe si kritik i princit të kurorës, Muhamed bin Salman.
Sanksionet kufizojnë qasjen në sistemin financiar të SHBA dhe ngrijnë pasuritë e individëve. Ato do të zbatohen sipas Aktit Global për Lirinë dhe të Drejtat e Njeriut, i cili synon të godasë ata që kryejnë abuzime serioze me të drejtave të njeriut dhe akte korrupsioni.
“Këta individë që qëlluan dhe vranë brutalisht një gazetar që jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara duhet të përballen me pasojat për veprimet e tyre,” tha në një deklaratë sekretari i Thesarit Steve Mnuchin.
Top Channel