Tre orë para se të skandonte afati Kushtetues, Presidenti Ilir Meta dekretoi rreth orës 21: 00 të së premtes, Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm duke zgjidhur kështu ngërçin e krijuar për një nga anëtarët më të rëndësishëm të qeverisë dhe një moment delikat sa i takon situatës së rendit në vend.

Në mesditë, kreu i shtetit e paralajmëroi këtë vendim, pasi dekretoi nxjerrjen në lirim të Gjeneral-Brigade, Sandër Lleshit.

Kjo ishte edhe arsyeja që Ilir Meta nuk e firmosi propozimin e parë të Kryeministrit për zotin Lleshi, lëvizje kjo që solli një krisje me mazhorancën socialiste, për të cilën Rama uroi që të mos shkonte në thyerje.

Lleshi aktualisht është zv/ministër i Brendshëm, pasi u refuzua herën e parë që të dekretohej nga Meta si pasues i Fatmir Xhafajt. Kryeministri Rama dukej se ishte në dijeni të këtij vendimi të Metës, dhe pak çaste pas dekretit, reagoi menjëherë në Twiter: “Dekretimi i Sandër Lleshit ministër i brendshëm, një shembull kuptimplotë i faktit se edhe kur duket, sikur krisjet janë të pariparueshme a thyerjet të pashmangshme, ka gjithmonë një rrugëzgjidhje nëse ka Vullnet të Mirë. Ministri i ri njeriu i duhur në vendin dhe kohën e duhur”, reagoi Rama.

Gjatë së premtes presidenti Meta pati një takim me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, i cili kishte hyrë si ndërmjetës mes tij dhe Kryeministrit Rama.

Për dekretimin e Lleshit reagoi edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Me apo pa Llesh, Ministria e Brendshme ka shkuar për dreq sa kohë kryeministër është ai që mbron me thonj kriminelët dhe politikanët e lidhur me krimin, nga Dako te Balla, nga Tahiri e Xhafaj te Gjiknuri, Rrahja, Çyrbja e Sejdini me shokë. Peshku është qelbur nga koka. Nga koka duhet pastruar!”, reagoi Basha.

Dekreti i Metës për Sandër Lleshin pritet të votohet të enjten që vjen në Parlament dhe pas betimit në Presidencë, nis detyrën si Ministër i Brendshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA